Motra e Adelina Sejdinit, 47-vjeçares shqiptare që vrau veten duke u hedhur nga ura e Pavias kërkoi të zbulohet e gjithë e vërteta e dhimbshme e vdekjes së personit të saj të dashur.
Ermira Sejdini rrëfen për mediat italiane se autoritetet italiane nuk i kanë kthyer familjes trupin e Adelinës.
“Motra e përballoi jetën duke ndihmuar njerëzit në mënyrë që të mos vuanin më. Kur kërkoi ta ndihmonin, askush nuk e ndimoi atë. Dua të di se çfarë ka ndodhur. Nuk na i kanë kthyer akoma trupin e saj. Kemi marrë vetëm një telefonatë nga institucionet. Babai im është njoftuar se motra ime ka vdekur”, shprehet Ermira Sejdini.
Adelina Sejdini kreu vetëvrasje pas refuzimit për të marrë nënshtetësinë italiane. Autoritetet lokale të Romës i ndalun qëndrimin në kryeqytetin italian për të paktën 1 vit. Në kushte të rënda psikologjike, ajo i vuri flakën vetes disa muaj para vetëvrasjes dhe u shpëtua nga disa kalimtarë. Gjithashtu ajo vuante nga një sëmundje tumoriale dhe kishte marrë statusin e invalides.
47-vjeçarja ndihmoi në zbulimin dhe shkatërrimin e një organizate mafioze që drejtonte rrjet prostitucioni. Nga ky operacion u arrestuan 40 persona dhe 80 të tjerë u ndoqën penalisht.
Prej vitesh, ajo nuk kthehej në Shqipëri pasi i frikësohej një hakmarrje të mundshme nga persona të lidhur me rrjetin e prostitucionit të shkatërruar.
Dy ditë pas vdekjes së saj, në media u shpërnda videoja e Adelinës, e cila akuzoi autoritetet italiane për lënien në baltë.