Nuk ndalet rënia e Euros, kursi me Lekun i afrohet minimumit historik

0

Euro vazhdoi rënien në kursin e këmbimit me lekun edhe ditën e enjte, duke iu afruar nivelit minimal historik.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 120.2 Lekë. Kjo vlerë është shumë afër nivelit prej 120.18 lekësh, që përfaqëson edhe vlerën më të ulët historike të kursit Euro-Lek dhe që ishte shënuar në dhjetor të vitit 2007.

Sipas agjentëve të tregut, kërkesë-oferta nga klientët gjatë javëve të fundit nuk ka pasur luhatje shumë të mëdha, ndaj shpejtimi i rënies së Euros gjatë këtyre ditëve mund të shpjegohet kryesisht me operacione të përqendruara dhe shitje në vlera të mëdha nga aktorë të rëndësishëm të tregut.

Megjithëse ecuria e kursit po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u parashikuar, agjentët mendojnë se do të jetë e vështirë që rënia e Euros të vazhdojë edhe poshtë nivelit të 120 lekëve. Sipas tyre, ulja e kursit në nivelet aktuale gradualisht mund të sjellë rritje të kërkesës për Euro, pikërisht për shkak të çmimit të leverdisshëm. Ata aktorë që kanë shpenzime në Euro, të lidhura me importin, biznesin, blerjen e pronave, pagesën e kredive, etj mund të nxiten të blejnë për shkak të kursit të favorshëm, duke ndikuar në një korrektim në rritje të kursit të këmbimit Euro-Lek.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu