TIRANË- Numri i qendrave të votimit të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i afrohet gjysmës, teksa rezultati duket se nuk pritet të ketë surpriza deri në fund të procesit.
Sipas përditësimit të fundit të KQZ-së, partia Socialiste ka ruajtur përgjatë gjithë numërimit të deritanishëm avantazhin e dukshëm, me luhatje nga 53% në mëngjes, kur ishte numëruar një e katërta në 52.45% në përditësimin e fundit, kur janë numëruar 2002 qendra votimi nga 5225 të tilla gjithsej, ose 38.3% e totalit.
Në numër votash, PS ka marrë deri tani 271 mijë vota. Partia Demokratike është e dyta, me 178.3 mijë vota, ose 34.4% të totalit. Partia Demokratike deri tani ka 93 mijë vota më pak sesa PS. E treta është Partia Social Demokrate me 20.8 mijë vota, ose 4.02% të totalit. Kjo parti rritet nga votat e larta që ka marrë në Shkodër (8634 deri tani) dhe në Tiranë (4545).
E katërta renditet Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, me 17.1 mijë vota, ose 3.32% të totalit. Në shumë qarqe ky koalicion renditet i treti, duke pasur një shpërndarje më të barabartë votash. E pesta është Partia Mundësia, me 13.6 mijë vota, ose 2.63% e totalit. Edhe kjo parti ka marrë më shumë vota në Tiranë (6351).
Lëvizja Bashkë ka marrë 6666 vota, ose 1.29% e totalit. Partia Koalicioni Euroatlantik ka 5917 vota, ose 1.14% e totalit. Koalicioni Djathtas për Zhvillim (0.35%), Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare (0.18%), Lëvizja Atdheu (0.13%), Partia Aleanca Demokracia e Re (0.07%) kanë më pak se 1% të votave.
Këtyre votave pritet tu shtohen dhe ato të emigrantëve që votuan për herë të parë këtë vit, por që nuk pritet të kenë ndikim të dukshëm në ndryshimin e rezultateve. Kushti për të hyrë në Kuvend është që një parti të marrë të paktën 1% të votave të përgjithshme. Partia Socialiste dominon dhe në qarqe, teksa demokratët kryesojnë vetëm në Kukës e Shkodër.
Më pas, KQZ numëron votat dhe shpërndan mandatet brenda subjekteve. Psh, në Tiranë ku ndahen 37 mandate, nëse partia e parë merr psh 16 mandate, të parët që hyjnë në Kuvend janë 12 emrat e listës së mbyllur. 4 mandatet e tjera, merren nga lista e hapur, duke i renditur ata që kanë më shumë vota, me korrigjimin që në tre emra duhet të jetë një grua, duke spostuar burrin që ka më pak vota. Nëse një parti merr më pak se 12 mandate, në Kuvend shkojnë vetëm emrat e listës së mbyllur./ Monitor