Nusja merr çdo muaj lekët në postë, s’shkon asnjë ditë për t’u kujdesur për familjarët e sëmurë të bashkëshortit

0

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës një skandal, ku disa persona, me probleme të shëndetit mendor, janë lënë rrugëve.

Institucionet shtetërore, por edhe kujdestarja ligjore që merr paratë e KEMP-it, nuk janë kujdesur për këtë familje. Në redaksinë e emisionit investigativ, mbërriti një informacion për familjen Prifti në fshatin Kadipashaj në Njësinë Administrative Krutje, në Lushnje. Ndërkohë, shoqëruar me informacionin, mbërritën edhe disa video, ku dukeshin disa persona, pjesëtarë të kësaj familje, të cilët nuk kanë asnjë përkujdesje.

Fiks Fare ka mësuar se kryefamiljari, Mitër Prifti, trajtohet me pension. Gjithashtu, 3 fëmijët e tij, Edmondi, Erjeta dhe Artani marrin kemp nga Shërbimi Social. Në total, ata marrin rreth 480 mijë lekë të vjetra në muaj.

Ndërkohë, prej disa vitesh, kjo familje ka edhe një kujdestare ligjore, e cila është gruaja e njërit prej djemve të kryefamiljarit, i cili jeton në Lushnje. Kjo kujdestare ka një pagesë mujore prej 160 mijë lekë të vjetra. Nga informacionet që kanë mbërritur në Fiks Fare, kujdestarja jeton në qytetin e Lushnjes dhe nuk ka shkuar asnjëherë për t’u kujdesur për këtë familje. Por, ajo rezulton në dokumente se tërheq në postë dhe sigurime të gjitha pagesat e kësaj familje.

Grupi i Fiks Fare udhëtoi në këtë fshat për të parë se ku jetojnë këta persona. Gazetarët bisedojnë me kryefamiljarin, një i moshuar, i cili tha se ka 4 fëmijë, 3 djem dhe 1 vajzë. 2 djem dhe vajza jetojnë me të, ndërkohë një djalë ka ikur në Lushnje dhe është martuar.

Gazetarët e pyesin nëse merr pension apo kemp, ndërsa ai përgjigjet se i “merr Erjoni” (djali në Lushnje). “Marr unë dhe Mondi, të tjerët jo” pohon i moshuari, ndërsa nuk e di nëse dy fëmijët e tjerë, Erjeta dhe Artani marrin kemp. Sipas informacioneve të Fiksit, të gjithë marrin pension dhe ndihmë sociale!

Fiksi e pyet të moshuarin nëse e njeh kujdestaren ligjore, Aidën (gruaja e djalit, Erjonit), ndërsa ai thotë se “nuk e kam takuar asnjëherë”. Gazetarët e pyesin se kush pastron, na thotë vajza, e cila ka probleme mendore. “Unë gatuaj, vajza pastron. Sot kam bërë patate, dje kisha fasule” thotë ai. Më pas, tregon vendin ku gatuan, një vend i papastruar dhe me mbeturina kudo. Vajza e tij, Erjeta, i tregon grupit të Fiks Fare vendin ku lahen, ndërsa thotë se “unë lahem jashtë”.

Më pas, i moshuari dhe vajza e tij, tregojnë dhomën ku flenë. Krevatat janë thyer, dyshekët shumë të pistë. S’ka çarçafë, ndërsa jorganët dhe batanijet janë shumë të pista. E gjithë dhoma është me mbeturina dhe e papastruar prej shumë kohësh.

Njësoj si i ati, edhe Erjeta thotë se “nuk e ka takuar asnjëherë kujdestaren”. Fiksi pyeti edhe djalin tjetër, Artanin, i cili tha se nuk e di nëse merr apo jo ndihmë ekonomike apo pension. “Nuk e di, është marrë Erjoni” thotë ai, duke shtuar se “s’e kam takuar asnjëherë gruan e Erjonit”.

Pas kësaj gjendje, Fiks Fare shkoi në Postën e Krutjes për të pyetur se kush merr pension, kemp apo ndihmë ekonomike. Punonjësi i Postës thotë se kryefamiljari Mitër Prifti merr pension, por i ka dhënë prokurë nuses së djalit, Aida Prifti për ta tërhequr. Gjithashtu, edhe fëmijët e tjerë, trajtohen me ndihmë ekonomike.

Gazetarët e Fiks Fare takojnë kujdestaren e kësaj familje, Aidën, e cila jeton në Lushnje dhe punon në një dyqan peshku. Aida pranon që merr kempin e tyre prej 4 vjetësh dhe fillimisht na thotë se shkon 3-4 herë në javë.

Më pas, e ndryshon versionin dhe pohon se shkon i shoqi, Erjoni, 1 ditë po 1 ditë jo. Ajo thotë se i çon ushqime dhe mish, ndërsa i çon edhe për vizita në Tiranë dhe u blen ilaçet.

Më pas pohon se do të blejë një shtëpi në Lushnjë dhe do t’i tërheq të gjithë nga fshati. Gazetarët e pyesin se pjesëtarët qendrojnë rrugëve dhe janë të papastruar dhe të pangrënë. “Mos i thoni njeriu” thotë ajo, ndërsa kërkon që këtë gjendje mos t’ia tregojnë askujt.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu