Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i bëri sot thirrje Izraelit dhe Hamasit që të ndalojnë të gjitha sulmet në infrastrukturën shëndetësore, një ditë pasi një sulmi vdekjeprurës ku u vranë të paktën 200 njerëz në një spital në Gaza.
“Ne po kërkojmë që të paktën të gjitha sulmet në infrastrukturën shëndetësore të ndalen,” tha shefi i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge në një intervistë për mediat.
“Së dyti, civilët duhet të mbrohen, fëmijët duhet të mbrohen dhe së treti, ndihma humanitare duhet të lejohet të arrijë nga Rafah në Gaza, sepse të gjitha furnizimet tona janë tashmë të vendosura atje, por kufiri nuk është ende i hapur”, shtoi ai me shqetësim.
Në spitalin Al-Ahli Al-Arabi, në qendër të Gazës, dje u vranë “200 deri në 300” njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së territoreve palestineze, ndërsa Hamasi, organizata islamike që kontrollon Rripin e Gazës, mbi 500 vdekje. Sipas vlerësimeve të tjera, numri ,mund të jetë edhe më i lartë.
Që nga sulmi i militantëve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, OBSH ka regjistruar 140 sulme kundër objekteve shëndetësore: 6 në Izrael, 77 në Bregun Perëndimor dhe 57 në Gaza.
Mbi 1400 njerëz kanë humbur jetën në Izrael, shumica prej tyre civilë të vrarë më 7 tetor, ditën e sulmit të Hamasit.
Që atëherë, rreth 3,000 njerëz janë vrarë në sulmet hakmarrëse të Izraelit në Gaza, kryesisht civilë, duke përfshirë qindra fëmijë, sipas autoriteteve lokale.
Për Kluge, “zgjidhja e vetme është ndalimi i luftimeve”. Ai bën thirrje për “paqe përmes negociatave që do të garantojnë të drejtën e shëndetit për të gjithë. Motoja jonë është shëndet për të gjithë, si për popullin izraelit ashtu edhe për popullin palestinez”.