Komisioni i Ligjeve ka nisur mbledhjen e sotme pa praninë e Opozitës. Deputetët e Partisë Demokratike kanë vendosur që të mos marrin pjesë në mbledhjet parlamentare ditën e sotme, për shkak të arrestimit të kolegut të tyre deputetit Ervin Salianji.
Gjatë mesditës deputetët e PD-së do të zhvillojnë një tjetër mbledhje ku pritet të përcaktojnë strategjinë që do të ndjekin në raport me Kuvendin, duke nisur nga seanca e sotme, e cila mbahet në orën 17:00 dhe ku pritet të njoftohet zyrtarisht ndërprerja e mandatit të deputetit për Ervin Salianjin.
Në tryezën e opsioneve të demokratëve janë disa variante që mund të ndiqen duke nisur që nga ngujimi afatgjatë i ligjvënësve demokratë te protestat brenda sallës së Kuvendit me synim paralizimin e funksionimit normal. Ditën e djeshme Këshilli Kombëtar i PD-së miratoi edhe qëndrimin e saj, ku thuhet se rendi kushtetues ka rënë dhe balanca mes pushteteve është asgjësuar.