433 refugjatë nga rajoni lindor i Ukrainës, Donbas mbërritën sot me tren në rajonin e Vollgogradit në Rusi. Autoritetet lokale dhanë lajmin se ky është treni i parë nga rajoni separatist pro-rus që po sjell refugjatë drejt vendit. Ata janë dërguar në qendrat e përkohshme të akomodimit në Vollgograd.
“Sot, treni i parë me refugjatët nga Donbasi arriti në rajonin e Vollgogradit. 433 persona janë dërguar për në qendrat e akomodimit, të cilat janë përgatitur sipas kërkesave të guvernatorit”, shkruhet në deklaratën e zyrës së Guvernatorit të Vollgogradit.
Mes këtyre refugjatëve, janë 166 fëmijë nën moshën 14 vjeç. Ndërmjet tyre ka dhe 9 foshnje nën moshën 1 vjeç.
Brenda dy ditësh, pas urdhërit të liderit separatist pro-rus Denis Pushilin në Donbas për nisjen e evakuimit të grave, fëmijëve dhe të moshuarëve, janë larguar rreth 40 mijë banorë drejt Rusisë.
Burimi: ANI News





