Një marrëveshje e re është arritur në samitin COP26 në Glasgou. Mediat e huaja shkruajnë se pakti i ri është marrëveshja e parë klimatike që planifikon reduktimin e qymyrit, karburantin më të keq fosil për gazrat serrë.
Marrëveshja gjithashtu kërkon shkurtime urgjente të emetimeve dhe premton më shumë para për vendet në zhvillim, për t’i ndihmuar ato të përshtaten me ndikimet klimatike. Por premtimet nuk shkojnë aq larg sa të kufizojnë rritjen e temperaturës në 1.5C.
Një angazhim për të hequr gradualisht qymyrin që ishte përfshirë në draftet e mëparshme të negociatave çoi në një përfundim dramatik pasi India udhëhoqi kundërshtimin ndaj tij. Ministri i klimës së Indisë, Bhupender Yadav pyeti se si vendet në zhvillim mund të premtojnë heqjen e subvencioneve për qymyrin dhe karburantet fosile, kur ata “duhet të merren ende me axhendat e tyre të zhvillimit dhe çrrënjosjen e varfërisë”.
Në fund, vendet ranë dakord të “ulin gradualisht” dhe jo “të heqin gradualisht” qymyrin, mes shprehjeve të zhgënjimit nga disa.