VLORË- Vlora, aty ku fokusohen festimet e Festës së Pavarësisë ka mbajtur sot ceremoninë e ngritjes së flamurit. Në kuadër të festimeve të 112-vjetorit të Pavarësisë, anijet e Forcës Detare dhe trupat e Regjimentit të Operacioneve Speciale kanë ofruar spektakël në qiellin e Vlorës.
Helikopterët e Forcës Ajrore kanë valëvitur flamurin kombëtar në qiellin e Vlorës, duke dhuruar pamje spektakolare për të gjithë të pranishmit që morën pjesën në ceremoninë e ngritjes së flamurit.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka publikuar pamjet nga atmosfera në Vlorë. Në një postim në Facebook, Vengu shprehet se qytetarët e mbledhur sot në sheshet kryesore të Vlorës dëshmuan aftësitë dhe kapacitetet e trupave elitarë të Forcave tona të Armatosura.
“Forcat e Armatosura përshëndetën 112-vjetorin e Pavarësisë në qytetin e flamurit, aty ku helikopterët e Forcës Ajrore, anijet e Forcës Detare dhe trupat e Regjimentit të Operacioneve Speciale ofruan spektakël duke valëvitur flamurin kombëtar në qiellin e Vlorës.
Mijëra qytetarë të mbledhur në Sheshin e Flamurit, por edhe ata nga Lungomare, deri në Orikum, dëshmuan aftësitë dhe kapacitetet e trupave elitarë të Forcave tona të Armatosura, të cilët demonstruan në Gjirin e Vlorës edhe një operacion për marrjen nën kontroll të një anijeje të dyshuar, duke ndërhyrë nga deti me grupet e bordingut dhe ajri me trupat specialë dhe helikopterët Cougar e Black Hawk. Një ditë feste në qytetin e Pavarësisë”, shkruan Vengu.