PANDEMIA E GJOBAVE MË FATALE SE AJO E COVID 19. JA PSE E MBYLLA BIZNESIN?

0

 

(Intervistë me pronarin e pastiçerisë “Mont Blanc” në Elbasan, Edvan Kokoneshi)

Mjaft biznese po mbyllen në Shqipëri. Edhe në Elbasan numërohen dhjetërra të tilla që tashmë kanë ulur qepenat.

Ndër faktorët përmenden ulja e fuqisë blerëse për shkak të varfërisë, pagat e ulta, papunësisë etj. Por në këtë intervistë del në pah edhe një fenomen mjaft negativ. Vendosja e gjobave, dhe falimentimi i atyre që konsiderohen si kundërshtarë politikë. I tillë duket rasti i pronarit të pstiçerisë ‘Mont Blanc’ me të cilin zhvilluam një intervistë.

– Ka disa ditë që dyqanin tuaj të ëmbëlsirave në rrugën Rinia këtu në Elbasan e shohim me qepena të ulur. Ç’ka ndodhur?

– Po. Po bëhen dy javë që e mbylla përfundimisht.

– Para se të na tregoni se cilat ishin arsyet që ju çuan të merrnit këtë vendim, mund të na tregoni si dhe kur e nisët këtë aktivitet?

– Si shumë bashkëmoshatarë të mi, edhe unë në fund të viteve ’90 vendosa të emigroj. Shkova në Itali. Isha adoleshent dhe duke provuar veten në punë të ndryshme, gjithnjë të ndershme, filloj si ndihmës në një furrë-pastiçeri në zonën e Piemontes. Më pas specializohem në një pastiçeri moderne.

Pas 14 vitesh punë vendos të kthehem nga emigracioni për të investuar në vendin tim dhe për t’i ofruar me përvojën time tregut shqiptar një risi në fushën e pastiçerisë. Kështu hapa aktivitetin tim në qendër të qytetit dhe pastiçerisë i vura emrin “Mont Blanc”.
E nisa këtë aktivitet me shumë pasion e pritshmëri dhe, fillimisht, ç’është e vërteta, fillova të ndjej frytet e investimit tim dhe kënaqësinë që po ofroja diçka ndryshe që qytetarët e Elbasanit nuk e kishin provuar deri në atë kohë.

Prodhoja torta gjysmë të ftohta me nivel pasterizimi dhe homogjenizimi me një shok temperature. Kjo lloj teknologjie, veç shijes së veçantë, bën të mundur mbrojtjen e klientit nga fermentimet dhe mbingarkesa biologjike e produktit.
Ishim një staf prej 3 personash, por, në sezone të caktuara stafi dyfishohej.

– Pastaj ç’ndodhi? Cilat qenë arsyet që e mbyllët aktivitetin?

– Por ëndrra ime për lulëzimin e këtij investimi nuk zgjati shumë dhe, siç e shikoni, përfundimisht vendosa ta mbyll.
Ky vendim erdhi pasi sistematikisht po sulmohesha ekonomikisht nëpërmjet gjobave të vendosura pa arsye, si nga AKU, ISHSH apo punonjësit e Tatim Taksave. Këto ishin arsyet kryesore që më çuan drejt mbylljes së aktivitetit. Prandaj ato qepena që shikoni të ulur nuk do t’i ngre më kurrë.

– A ka ndikuar politika partiake në këto sjellje të pushtetarëve lokalë? Me fjalë të tjera, kështu do silleshin me ju punonjësit e shtetit nëse do të ishit një mbështetës i Rilindjes?

– Nuk e di, por mund t’ju them me përgjegjësi se në fillimet e aktivitetit nuk më ngacmuan, por, që pas vitit të parë, fill pas deklarimit hapur të bindjeve të mia politike të cilat binin ndesh me pushtetin aktual, filluan me radhë, njëra pas tjetrës “vizitat” e gjobëvënësve të këtij pushteti, që rezultuan edhe më fatale se pandemia e Covid 19.

– Mos ndikoi edhe pandemia Covid 19?

– Në fakt, periudhën e pandemisë Covid 19, si kushdo, edhe unë e prisja të kishte rënie të mëdha, madje edhe falimente. Sidoqoftë, megjithëse edhe unë si shumë të tjerë kam ndjerë vështirësi të jashtëzakonshme në atë periudhë, arrita ta kapërcej atë. Ndërsa këtë, pandeminë e gjobave, nuk e përballova dot. Vetëm kjo më bëri t’i ul qepenat e ta mbyll përfundimisht investimin tim.

-Si ka mundësi, atë që nuk jua bëri dot pandemia e Covid 19 jua bëri shteti?!- Unë besoj se kjo shpjegohet me atë që pandemia Covid 19 ishte e paanëshme, dmth, virusi nuk seleksiononte politikisht, prandaj dhe unë, si shumë të tjerë e përballova. Ndërsa, virusi i gjobave, prek vetëm ne që nuk ngjisim parullat e banderolat e Rilindjes në muret e bizneseve.

Duke jetuar një pjesë të rëndësishme të viteve të mia në emigrim, u rrita me pjekurinë dhe lirinë që njeriu duhet të eci përpara në saj të punës së ndershme, pavarësisht besimeve, bindjeve të tij politike… Por këtu u përballa me të kundërtën e kësaj. Nuk e mendoja se botëkuptimi im për punën dhe politikën do të më kthehej në një bumerang dhe, aq më tepër, të më shuante ëndrrën për të cilën lashë çdo gjë, për t’u kthyer e për të sjellë një frymë evropiane në atdhe.

– A keni provuar të bisedoni apo të zgjidhni këto çështje me autoritetet përpara se të mbyllnit biznesin?

Po. Pas vendosjes së gjobave të para vendos të bëj një denoncim. Duke menduar se do të gjeja drejtësinë e duhur iu drejtova një punonjësi që mendova se ishte aty thjesht për të kryer detyrën e tij e jo të partisë së cilës i përkiste, por nga ai mora si përgjigje shprehjen: “të ta paguajë partia gjobën!”… Aty u vulos dhe bindja ime që çdo gjë po merrte të tatëpjetën për shkak se unë nuk kisha bindjet e tyre politike. Ekziston një denoncim ndaj tyre, por që askush nuk u procedua dhe u lanë të lirë. I vetmi i fundosur isha unë.

– A mendoni se ka ndonjë zgjidhje të mundshme për të parandaluar këtë fenomen dhe për të mbështetur bizneset lokale? Çfarë mesazhi keni për qeverinë dhe autoritetet lokale në lidhje me këtë problem dhe ndihmën që mund të ofrojnë ato për bizneset?

– E vetmja ndihmë që mund t’i japin bizneseve është që politika aktuale të qëndrojë sa më larg tyre. Nëse s’duan që ky vend të zbrazet e të mos bëhet kurrë, të heqin dorë nga politika kriminale e gjobave ndaj atyre që punojnë e investojnë djersën e tyre në atdhe.

– Po tani, ç’do të bëni?

– Tani për tani endem i zhgënjyer si pasojë e falimentit jo të drejtë që mu bë, por si shumë të tjerë do të shoh mundësinë e do të kthehem, jo pa dhimbje, andej nga erdha…

-Ju faleminderit!

-Ju faleminderit juve!


Në foto: Edvan Kokoneshi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu