I liruar nga kontrata e tij me Arsenalin të hënën, Pierre-Emerick Aubameyang që atëherë është stërvitur me Barcelonën, në pritje të zyrtarizimit të nënshkrimit të tij. Në një mesazh të postuar në Instagram, sulmuesi i kombëtares gaboneze u ka dhënë lamtumirën Topçinjve.
“Për tifozët e Arsenalit, ju falënderoj që e keni bërë Londrën një shtëpi për familjen time dhe mua për katër vitet e fundit. Kemi kaluar ulje-ngritje dhe mbështetja juaj ka qenë gjithmonë shumë për mua. Unë kam qenë gjithmonë 100% i përqendruar dhe i përkushtuar për të bërë gjithçka që kam mundur për këtë klub dhe kjo është arsyeja pse më dhemb pak, kur them lamtumirë, por ky është futbolli.
Jam i trishtuar që nuk kam qenë në gjendje t’i ndihmoj partnerët e mi gjatë javëve të fundit, por nuk kam gjë tjetër veçse respekt për këtë klub dhe me të vërtetë uroj më të mirat dhe shumë suksese që t’u vijnë ish-shokëve të mi të skuadrës dhe mbështetësve!”
Autor i 92 golave në 163 ndeshje nën fanellën e “Topçinjve”, Aubameyang kishte humbur shiritin e kapitenit në javët e fundit, përpara se të mos preferohej nga trajneri i klubit londinez Mikel Arteta. Edhe pse mbërritja dhe prezantimi i tij te Barcelonë nuk është ende zyrtarizuar, presidenti i klubit katalanas, Joan Laporta ka siguruar se nënshkrimi i kontratës së tij ka përfunduar në kohë. “Dokumentacioni mbërriti brenda një minute pas mbylljes së dritares së transferimit,”- tha ai të hënën.