Më herët gjatë ditës së sotme, Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit miratoi një rregullore sa i përket veprimtarisë së Komisionit. PD dhe PS pas shumë diskutimesh u dakordësuan për të miratuar në parim rregulloren me të cilën Komisioni do të veprojë gjatë gjithë javëve pasardhëse.
Deputetja e PS, Blerina Gjykameti, bëri një propozim sa i përket orës për mbledhjen e rradhës duke propozuar si orar të përshatshëm pasditen e orës 17:00. Të gjithë ranë dakord, por kjo gjë acaroi deputetin e LSI, Petrit Vasili i cili nuk mbeti i kënaqur nga ky fakt.
Vasili kritikoi mënyrën e vendosjes së orarit sepse ende nuk ishte caktuar dita se kur do të mblidhej Komisioni. Ndërsa kryetari Enkelejd Alibeaj, krejt i qetë tha që sa i përket datës, do të diskutohej me nënkryetarin Tonin Gogun dhe se deri të hënën do të kishte një vendim zyrtar për datën e caktuar.
Petrit Vasili, deputet i LSI: Muhabet kot tani, përcaktojmë orën por nuk kemi ditën. Çfarë është kjo, diçka e tillë, nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
Enkelejd Alibeaj, kryetar i Komisionit Hetimor: Nëse do të gjejmë një dakordësi të gjejmë ditën dhe orën sipas rregullores të njoftuar 48 orë më parë. Kështu që deri të hënën së bashku me zotin Gogu besoj se do të kemi caktuar një ditë për mbledhjen e rradhës në orën 5 të pasdites.