Kryedemokrati Lulzim Basha do të mbledhë Kryesinë e Partisë Demokratike ditën e sotme në orën 16:00. Përmes një mesazhi që mban emrin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, Basha fton të gjithë anëtarët e kryesisë së PD-së në sallën e mbledhjeve të Grupit, në katin e dytë të selisë blu.
Sot pritet që të ketë diskutime dhe vendimmarje mbi situatën politike, ndërkohë që Partia Demokratike është e ndarë në dy lobe, mes kryedemokratit Lulzim Basha e ish-kryeministrit Sali Berisha që kërkon të mbledhë Kuvendin Kombëtar të PD-së më 11 dhjetor.
Mesazhi i Bardhit:
Në mbështetje të pikës 4, të nenit 45 të Statutit të PDSH, nesër, datë 15.11.2021, ora 16:00, do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Partisë, me rend dite: “Diskutime dhe vendimmarje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj”. Mbledhja do të zhvillohet në sallën e mbledhjeve të Grupit, Kati i II, Selia Qendrore e PDSH. Duke ju falenderuar për mirëkuptimin, Sekretari i Përgjithshëm. Gazment Bardhi.
Ç’po ndodh në PD?
Ish-kryeministri Sali Berisha kërkon të mbledhë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike më 11 dhjetor. Ai pretendon se ka dorëzuar 4 mijë e 200 formularë me firmë të demokratëve, shumë më tepër se 1 e katërta që i nevojitet për të thirrur Kuvendin, por Basha nuk e njeh këtë procedurë. Edhe pse është ftuar nga vetë Berisha e Kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, të cilit i janë besuar formularët, Basha nuk është paraqitur për të bërë verifikime. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmnet Bardhi është shprehur publikisht se firmat dorëzohet në sekretariatin e partisë, verifikohen aty e më pas nëse janë korrekte thirret Kuvendi. Sipas Bardhit nuk ka Kuvend më 11 dhjetor pasi është tejkaluar çdo limit kohor dhe në selinë blu s’ka shkuar asnjë kërkesë zyrtare.