Partia Demokratike ka publikuar video-mesazhin e kreut të PD-së Lulzim Basha, nëpërmjet të cilës i drejtohet qytetarëve shqiptarë.
Basha shprehet se lufta kundër korrupsionit dhe dekriminalizimi i politikës janë jetike për Shqipërinë, ndërsa shton se misioni kryesor mbetet lufta ndaj krimit të organizuar.
“Sot dua t’ju drejtohem të gjithë qytetarëve shqiptarë me katër mesazhe. Lufta kundër korrupsionit njësoj si dekriminalizimi i politikës është jetike për Shqipërinë. Shqiptarët nuk janë të varfër, por janë të vjedhur. Shqipëria nuk është e varfër, por është e vjedhur.
Ndaj për Partinë Demokratike dhe për mua si kryetar i saj, misioni numër një është lufta kundër korrupsionit dhe kundër krimit. Përshëndes dhe mbështes drejtësinë në të gjitha veprimet kundër këtij armiku të mirëqenies së shqiptarëve. Partia Demokratike e mbështet pa kushte drejtësinë në luftën kundër këtij armiku të çdo shqiptari, që është korrupsioni.
Edhe ish-qeverisja e Partisë Demokratike ka pasur korrupsion. Jemi të vendosur ta luftojmë edhe atë për të ecur drejt të ardhmes që meritojnë dhe duan shqiptarët. Nuk mund të ketë ndryshim për shqiptarët pa pasur një luftë pa kompromis dhe pa ngjyra politike kundër korrupsionit në nivele të larta. Ne jemi të vendosur të ecim përpara, të shkëputemi nga pjesa e keqe e të kaluarës tonë dhe të zgjedhim të ardhmen”, thuhet në videon e publikuar nga Basha.