Pelegrinazhi i Haxhit, sot dita e Arafatit! Miliona vetë kremtojnë datën e shenjtë

0
Screenshot

Miliona myslimanë në mbarë botën kremtojnë sot Ditën e Arafatit, një nga datat më të shenjta në kalendarin islamik.

Kjo ditë ka një domethënie të veçantë për për pelegrinët në Haxh por edhe besimtarët në mbarë botën. Dita e Arafatit, e festuar në ditën e nëntë të muajit të fundit të kalendarit hënor islamik – përbën pikën kulmore të Haxhit. Në këtë ditë, siç shpjegon media sauditet Al Arabija, pelegrinët mblidhen në Rrafshinën e Arafatit pranë Mekës në Arabinë Saudite për t’u lutur, për të kërkuar falje dhe për të reflektuar mbi besimin e tyre.

Qëndrimi në Arafat, i njohur si Wuquf, është riti qendror i Haxhit. Nga mesdita, deri në perëndimin e diellit, pelegrinët mblidhen në malin Arafat, ku besohet se Profeti Muhamed mbajti predikimin e tij të fundit. Por edhe myslimanët që nuk kanë mundur të bëhen pjesë e pelegrinazhit, e kremtojnë këtë ditë të konsideruar tejet të veçantë.

Shumë prej tyre zgjedhin të agjërojnë pasi Profeti Muhamed i inkurajoi besimtarët jo-pelegrinët ta bënin një gjë të tillë gjatë kësaj dite. Dita e Arafatit gjithashtu i paraprin Kurban Bajramit, i cili nis të premten, më 6 qershor. Kurban Bajrami festohet me lutje të veçanta dhe ritualin e flijimit të bagëtive, që simbolizon gatishmërinë e Profetit Ibrahim për të sakrifikuar të birin në shenjë bindjeje ndaj Zotit.