Zjarri në zonën e Dukatit jo vetëm që nuk u shua, siç raportoi në mesditë Ministria e Mbrojtjes, po ka marrë përmasa të mëdha pak minuta më parë, duke kërcënuar sërish dhjetra banorë.
Raportohet se zjarri ka kaluar në anën tjetër të malit, i favorizuar dhe nga era e fortë që fryn në zonë, ndërkohë që ndërhyrja nga ajri është e pamundur për shkak të mungesës së fushëpamjes.
Flakët e zjarrit kanë skuqur të gjithë zonën, ndërsa banorët e Dukatit prej ditësh flejnë me ankth, për shkak se zjarri mund t’iu afrohet dhe shtëpive të tyre.
Burime bëjnë me dije se në terren janë ekipe të zjarrfikësve dhe të Forcave të Armatosura, por duket se puna qe mund të bëjnë përballë flakëve të mëdha është e pakët. Pylli në zonë është me shkurre të larta, që e vështirëson edhe më shumë shuarjen.