Pendohet autori që ekzekutoi pronarin e stallës së derrave: Ja çfarë tha para gjykatës

0

Gjykata e Beratit ka zhvilluar ditën e djeshme seancën gjyqësore ndaj shtetasit Vangjel Polovina, i akuzuar për vrasjen e 41-vjeçarit në fshatin Goraj në Kuçovë.

Ajetguneli

Gjykata e ka lënë në masë sigurie “Arrest në burg” 44- vjeçarin. Shoqërimi i tij është bërë në masa të rrepta sigurie, ndërsa seanca është zhvilluar pa praninë e mediave. Prokurori i çështjes, Dritan Gripshi, i ka kërkuar gjykatës vlerësimin e ligjshëm të arrestimit të Polovinës dhe caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”.

I arrestuari Vangjel Polovina ka shprehur pendesë në seancë dhe ka deklaruar se vrasja ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër, pas shumë kërcënimeve me jetë që i kishte bërë viktima.

Ka qenë gjyqtari Durim Hasa ai që e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin e Vangjel Polovinës dhe ka vendosur për të masën e sigurisë “Arrest në burg” pa afat. 44- vjeçari Vangjel Polovina akuzohet për “Vrasje me paramendim”. Mëngjesin e së enjtes ai ekzekutoi me 20 plumba kallashnikovi 41-vjeçarin Ajet Guneli, në një lokal në fshatin Goraj në qytetin e Kuçovës. Konflikti mes tyre kishte nisur disa ditë para vrasjes, për shkak të një borxhi të padhënë për një objekt (stallë derrash), që autori i vrasjes ia kishte marrë me qira viktimës.

NGJARJA

Ngjarja ndodhi në oborrin e një lokali në fshatin Goraj, ndërsa viktimë mbeti shtetasi Ajet Guneli. Policia arrestoi pas krimit autorin e dyshuar, 44-vjeçarin Vangjel Polovina. Sipas uniformave blu, Polovina ka qëlluar ndaj 41-vjeçarit me breshëri kallashnikovi, duke e lënë të vdekur në vend. Sherri mes tyre ka nisur për arsye banale, ndërsa herë pas here mësohet se kanë pasur keqkuptime mes tyre. Autori është shprehur gjatë shoqërimit të tij në Polici se kishte debate të vazhdueshme me shtetasin Ajet Guneli, pasi ai e ofendonte. Ndërkohë, mësohet se autori i kishte marrë me qira një stallë derrash viktimës, çka edhe pretendohet se është kthyer në një mollë sherri mes tyre.

DËSHMITARËT

Ndërkohë, banorët e zonës kanë treguar për mediat detajet se si ka ndodhur krimi i rëndë. Një banor i fshatit Goraj, mik i viktimës, ka treguar se Ajet Guneli kishte qenë për darkë një natë para se të vritej në shtëpinë e tij, ndërsa theksoi se ai ishte një njeri shumë i mirë. Mes të tjerash, shoku i viktimës tha se nuk ishte në dijeni nëse kishte pasur ndonjë konflikt me autorin e dyshuar të ngjarjes, Vangjel Polovinën. “Kur erdha unë çdo gjë kishte mbaruar. Unë erdha në dashamirësi. Erdha se e kam shok këtë që u vra, Ajetin. Mbrëmë (të mërkurën e kaluar) ishte tek unë, hëngri bukë. Nuk di gjë për lidhjen e tyre, njihja vetëm Ajetin. E pata në shtëpi, hëngri bukë me çunat e mi, ishte një njeri shumë i mirë. Kjo që ndodhi, ndodhi”, tha i moshuari. Ndërkohë, një tjetër banor i fshatit Goraj është shprehur se kishte dëgjuar që autori kishte shkrepur një karikator në drejtim të 41-vjeçarit. “Më thanë se ishte derdhur një karikator i tërë, kështu më thanë”, thotë një tjetër banor i kësaj zone që ndodhet në vendngjarje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu