Mediat amerikane njoftojnë se janë liruar katër pengjet në një sinagogë në periferi të Dallasit në Teksas. Raportohet se gjendja e tyre është e mirë, ndërsa lirimi i tyre ka ardhur pas plot 10 orësh përplasje mes policisë vendase dhe pengmarrësit, i cili i mori peng katër personat gjatë një rituali fetar ditën e djeshme. Një nga pengjet u lirua i padëmtuar pas 6 orësh ndërsa tre të tjerët u shpëtuan nga policia dhe forcat speciale të FBI-së disa orë më vonë. Sipas mediave vendase, pengmarrësi ka mbetur i vdekur.
Gjatë kohës së negociatave mes policisë dhe pengmarrësit, pati edhe të shtëna me armë zjarri, por nuk munguan as shpërthimet e fuqishme. Pengmarrësi është dëgjuar duke kërkuar dhe lirimin nga burgu të një neuro-shkencëtareje pakistaneze të quajtur Aafia Siddiqu që është dënuar me 86 vite burg në SHBA, e cila u dënua për shkak se tentoi të vriste oficerë të ushtrisë amerikane gjatë kohës që ishte në paraburgim në Afganistan.
Pengmarrja u regjistruar ditën e djeshme, ku autoritetet deklaruan se kanë negociuar me një person që thuhet se mori peng disa persona në një sinagogë në qytetin Colleyville të Teksasit, gjatë një shërbese fetare. Policia shkruante dje në Twitter se po kryente operacione me ekipet e saj speciale (SWAT) në zonën ku ndodhet Kongregacioni Beth Israel dhe njoftoi se të gjithë banorët e zonës aty pranë po evakuoheshin. Kongregacioni u mor peng nga një person i armatosur.
Marrë nga aljazeera.com