VLORË – Dy të rinj janë arrestuar nga policia pas një rasti pengmarrjeje dhe dhune të ndodhur një ditë më parë në Vlorë, ku një person dyshohet se është mbajtur me forcë dhe është dhunuar për shkak të një borxhi të pashlyer.
Sipas burimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes autorëve të dyshuar dhe viktimës lidhur me një shumë parash që ky i fundit nuk kishte shlyer.
Policia bëri të ditur se dy të rinjtë u lokalizuan dhe u vunë në pranga pas hetimeve të kryera nga strukturat e rendit, ndërsa ndaj tyre rëndojnë akuzat për “heqje të paligjshme të lirisë” dhe “dhunë”.
Personi i dhunuar ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë rast.





