Diku midis Havait dhe Papua Guinesë së Re, ndodhen Ishujt Marshall, një grup prej pesë ishujsh vullkanikë dhe 29 ishuj koralorë, që u bënë shtet i pavarur vetëm në vitin 1986, pasi deri atëherë ishte një territor amerikan.
Amerikanët, duke qenë në pronësi të ishujve që nga viti 1946, i kthyen ato në një vend testimi bërthamor (gjithsej u kryen 67 teste të armëve bërthamore), si rezultat i të cilit shumë banorë u kontaminuan nga rrezatimi. Në fakt, në vitin 1994 u zbulua nga rrjedhja e dokumenteve, se banorët ishin ekspozuar qëllimisht ndaj rrezatimit për të studiuar (nga amerikanët) efektet e tij tek njerëzit.
Radioaktiviteti është ende problemi kryesor për banorët, të cilët megjithatë ngadalë po e përshtatin jetën e tyre me kushtet e reja me sportin, që zë një vend të rëndësishëm në kulturën e tyre.
Për shkak të ndikimeve amerikane, basketbolli dhe bejsbolli fitojnë interesin më të madh, por së fundmi futbolli po fiton vazhdimisht terren dhe që nga viti 2020, është themeluar Federata e Futbollit të Ishujve Marshall.
Dhe presidenti i Shem Levia (i cili është edhe themeluesi i saj) po përgatitet të paraqesë një aplikim për t’u anëtarësuar në Konfederatën e Oqeanisë, duke i hapur kështu rrugën vendit të tij që të mund të konkurrojë në garat ndërkombëtare për herë të parë në historinë e tij në disa vjet.
Deri më sot, Ishujt Marshall janë i vetmi komb në tokë, pa një ekip futbolli dhe Levi solli trajnerin anglez 33-vjeçar Lloyd Owers në Majuro (kryeqytet) për të filluar ndërtimin e një ekipi kombëtar futbolli nga e para!
Owers, gjatë kohës së koronavirusit, po bënte seminare trajnimi online, ku Levi e gjeti dhe e bindi të bënte udhëtimin 13.000 km për të ndërmarrë projektin.
“Qëllimi është që së shpejti të anëtarësohemi në Konfederatën e Oqeanisë dhe pas pak vitesh të fillojmë pjesëmarrjen tonë në garat ndërkombëtare. Ishujt Marshall nuk kanë pasur kurrë një ekip kombëtar dhe tani ne po fillojmë të ndërtojmë një, me ambicie të mëdha”,- tha Owers për BBC, duke shtuar:
“Ne nuk duam vetëm të luajmë me vendet fqinje, por të marrim pjesë në kualifikueset për Botërorin dhe kampionatin e Oqeanisë. Dhe besoj se në 10 vjet nga tani, nëse vazhdojmë të punojmë në të njëjtën mënyrë, nuk ka arsye pse të mos kemi sukses”.
Në fakt, Federata ka nisur ndërtimin e stadiumit kombëtar në kryeqytet, i cili është i rrethuar nga punimet e mbrojtjes detare, pasi niveli i ujit është vazhdimisht në rritje dhe ata duan të jenë gati për çdo gjë.