Qytetarët serbë janë kundër hyrjes së vendit të tyre në Bashkimin Evropian, sipas hulumtimit të agjencisë Ipsos. Arsyeja për këtë janë presionet që po i pëson Serbia nga BE-ja dhe kanë të bëjnë me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Sipas Blic, Drejtor i Ipsos Marko Uljareviç, thotë se sot për herë të parë që kur po monitorohen trendet e integrimeve evropiane, është regjistruar se një numër më i madh i qytetarëve serbë nuk do të votonin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Në muajin mars kemi pasur një rritje të theksuar të numrit të personave që janë kundër integrimit evropian, pasuar me një rënie të lehtë të atyre që mbështesin integrimin. Muaji i kaluar na ka sjellë një vazhdimësi të trendit në rritje të numrit të njerëzve që kundërshtojnë anëtarësimin në BE, me një rënie edhe më të madhe të atyre që mbështesin integrimin. Tani kemi 34,9 për qind të qytetarëve që me referendum do ta përkrahnin anëtarësimin e Serbisë në BE, ndërsa 43,8 për qind do të votonin kundër,” thot Uljareviç.
Sipas hulumtimit të agjencisë kërkimore Ipsos, rreth 44 për qind e qytetarëve janë kundër integrimeve evropiane, ndërsa 35 për qind janë për, ndërsa 21 për qind të tjerë nuk dinë apo nuk duan të deklarohen.