Shqipëria po përballet këto ditë me një valë të paparë të rritjes së çmimeve.
Veçanërisht rritja e çmimit të karburanti është kryefjalë e ditës. Ka qenë kjo edhe arsyeja pse ditën e djeshme u mbajt edhe protesta e parë përpara Kryeministrisë.
Nuk munguan në këtë protestë as pankartat ironike në lidhje me rritjen e çmimeve. “Erdha nga Laçi pa X5”, “Erdha nga Korça me biçikletë”, ishin vetëm disa nga batutat e djeshme.
Protestuesit ndër të tjera kërkuan nga qeveria uljen e çmimeve, por kishte nga ata që kërkuan edhe largimin e Ramës.
Protestës sipas mënyrës së tij i është ‘bashkuar’ edhe djali i kryeministrit. Greg Rama në rrjetet sociale ka publikuar një foto të para 9 viteve, por që duket se shkon më së miri sot me aktualitetin. Në Instagram, ai ka publikuar foton ku shfaqet një person teksa ecën mbi kalë në mes të Tiranës, mes disa makinave të parkuar.
“Rritja e mirëqënies”, ka shkruar djali i madh i kryeministrit duke ironizuar kështu këtë shëtitje kaq larg pamjes së një metropoli si Tirana. Ndonëse fotoja është një memorie e para 9 viteve, ai e ka ripublikuar ditën e sotme, duke e përshtatur më së miri me realitetin e këtyre ditëve.