Përfundon “pa sukses” takimi Kurti-Vuçiç

0

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me praninë e diplomatëve të Bashkimit Europian, Josep Borrell e Miroslav Lajçak.

Takimi, i cili nisi në orën 11:00, ka zgjatur vetëm dy orë. Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh ishte zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiçit në muajin shkurt.

Presidenti serb tha para gazetarëve në Bruksel se takimi me kryeministrin Albin Kurti përfundoi pa sukses.

“Bisedimet përfunduan pa sukses në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, tha Vuçiç.

“Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, shtoi Vuçiç.

I pyetur nga gazetarët se cili ishte propozimi i BE-së, Vuçiç tha se, para së gjithash, flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Të shohim nëse kemi proces të besueshëm ose jo. Është e qartë se Kurti i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ikën nga detyrimet e saj”, tha Vuçiç.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu