Gazetari Basir Çollaku foli në lidhje me përgjimet e aplikacionit “Sky ECC”, ku si rezultat së fundmi ranë në pranga ish-kreu i policisë Erzen Breçani së bashku me të birin dhe disa persona të tjerë, të përfshirë në trafikun e drogës.
Në një intervistë për Euronews Albania ai theksoi se në SPAK aktualisht kanë ardhur tre dosje nga ndërkombëtarët, ajo e Shkodrës e Plarent Dervishit dhe kjo e fundit që ‘fundosi’ dhe Erzen Breçanin.
Mes tjerash ai nënvizoi se në përgjime kanë dalë dhe emra politikanësh por që po tregohet kujdes me publikimin e tyre.
“Mesa di unë janë tre dosje të tilla të ardhura nga partnerët tanë ndërkombëtar. Është rasti i Shkodrës, është rasti i Durrësit me Plarent Dervishin dhe rasti aktual me Ervin Matën. Ajo që bie në sy si një shumatore në komunikimin dhe bisedimeve mes të akuzuarve ka të bëjë me bandat e trafikut. Tafik droge, oficerë policie të përfshirë, biznes dhe deri më tani ka një kujdes për të mos përfshirë dhe emrat e politikanëve të cilët janë brenda. Kam parë ditën e fundit një tentativë të disa institucioneve për të paraqitur sikur Ministria e Brendshme është aktori kryesor i komunikimit me Europol për sjelljen e materialeve. Ajo që saktësisht jam duke thënë dhe pa doreza dhe hapur është se janë identifikuar nga skanimet e deri-tanishme mbi 300 oficerë policie në këtë dosje”-tha ai.





