Përleshja mes dy bandave në Greqi, policia pas disa muajsh hetime arreston 12 persona, mes tyre edhe shqiptarë

0

GREQI- Pas disa muajsh hetime në lidhje me një konflikt të armatosur që ndodhi në shtator 2024 jashtë një klubi nate në Pire, autoritetet greke kanë vënë në pranga 12 persona. Konflikti ndodhi mes dy grupesh dhe të arrestuarit janë shtetas shqiptarë dhe grekë.

Nga detajet mësohet se konflikti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 29 shtatorit jashtë një klubi nate në zonën e Pireut. Dy grupe kriminale të përbëra nga të paktën 6 persona secila, fillimisht u përleshën me njëra-tjetrën me grushte dhe shqelma. Më pas, anëtarët e dy grupeve kriminale përdorën edhe armë zjarri.

Nga kontrollet fizike dhe kontrollet e kryera në banesa u gjetën dhe u sekuestruan 1 pistoletë me një karikator me 10 fishekë, 1 revolver me 6 fishekë, 1 pistoletë me goditje me 1 fishek, 1 armë gjahu, një mori fishekësh të kalibrave të ndryshëm, 2 karikatorë dhe këllëf pistolete, 14 thika të llojeve të ndryshme, veshjet e përdorura në konfliktin e armatosur, tableta anabolike, 1 palë doreza, 3 makina dhe 1 motorr, marijuanë me peshë 2.4 gram si dhe 175.470 euro.

Personat e arrestuar akuzohen për krijim të një organizate kriminale, tentativë vrasjeje me dashje, dëmtim të rrezikshëm trupor, shkelje të detyrës dhe shkelje të ligjeve për drogën dhe armët. Shumica e të akuzuarve kanë një të kaluar kriminale për vepra të ngjashme dhe të tjera penale, ndërsa hetimi vazhdon të përcaktojë fushëveprimin e plotë të aktivitetit të tyre kriminal.