Izraeli është goditur nga një seri shpërthimesh të fuqishme gjatë natës, ndërsa sistemi i mbrojtjes ajrore ka ndërprerë fluturimin e dhjetëra raketave iraniane mbi qytetet kryesore, përfshirë Tel Avivin dhe Jerusalemin. Qielli i natës u ndriçua nga flakët dhe shpërthimet, duke alarmuar popullatën civile.
Në orët e para të mëngjesit, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar operacionet për të nxjerrë të mbijetuar nga rrënojat e një ndërtese të goditur në zemër të Izraelit. Ndërkohë, edhe Haifa, qytet bregdetar në veri të vendit, është vënë në shënjestër një zonë strategjike që përfshin një port të rëndësishëm dhe një rafineri të madhe nafte.
Në reagim, Izraeli ka nisur sulme të koordinuara ajrore mbi Teheran dhe objektiva të tjera në territorin iranian. Ushtria izraelite ka konfirmuar se janë goditur struktura të forcave elitare Quds në kryeqytetin iranian. Për herë të parë, objektivat kanë përfshirë jo vetëm instalacione ushtarake apo bërthamore, por edhe ndërtesa qeveritare dhe impiante energjetike, duke sinjalizuar një strategji më agresive kundër regjimit iranian.
Në këto sulme janë raportuar edhe goditje në zona të banuara, gjë që ka shtuar ndjeshëm shqetësimet për përshkallëzim humanitar.
Autoritetet izraelite kanë njoftuar se të paktën 19 persona kanë humbur jetën që nga nisja e ofensivës ndaj Iranit, ndërsa Irani ka bërë të ditur se mbi 220 qytetarë janë vrarë nga bombardimet izraelite që nga e premtja. Teherani ka deklaruar se nuk do të pranojë kurrfarë presioni nën kërcënimin e armëve dhe se e rezervon të drejtën për të mbrojtur veten.
Tensionet mes dy vendeve vijojnë të rriten, duke ngritur frikën për një konflikt të hapur rajonal me pasoja të rënda globale.