Reshjet e shumta të shiut dhe prurjet nga kodrat përreth kanë bërë që përroi i fshatit Gur i Kuq të dalë nga shtrati i tij, duke shkaktuar bllokim të shkarkuesit në aksin Pogradec–Qafë Thanë.
Prej dy ditësh po punohet për normalizimin e situatës, ndërsa qarkullimi i mjeteve në një segment rreth 100 metra kryhet vetëm me një korsi.
Gjithashtu, prej tre ditësh punohet për hapjen e një korsi emergjente drejt njësisë administrative Dardhas, pasi rruga është shembur dhe kalimi i mjeteve është i pamundur. Të bllokuara mbeten edhe akset Kakaç–Grunjas dhe Kalivaç–Dunicë për shkak të rrëshqitjeve të dheut.
Si pasojë e këtyre bllokimeve, në fshatrat Dunicë dhe Grunjas nuk është zhvilluar procesi mësimor, pasi mësuesit nuk kanë mundur të mbërrijnë në shkolla, njofton Zyra Arsimore Pogradec.





