Përroi del nga shtrati në Theth, si paraqitet situata nga moti i keq në Qarkun e Shkodrës

0

Disa turistë janë bllokuar në Theth nga dalja e përroit. Siç duket në foton e siguruar nga gazetarja Emi Kalaja për INFOWeb MEDIA, një mjet ka ngelur në mes të rrugës si pasojë e ujit.

Si pasojë e daljes nga shtratit të përroit Nikgjonaj, raportohet se në Theth ka prezencë uji në 3 banesa.

Po ashtu, raportohet se në Qarkun e Shkodrës si rezultat i reshjeve të shumta ka dalje të përrenjve nga shtrati dhe përmbytje të një sipërfaqe prej 400 hektarësh në Fushën e Muriqanit, Njësia Administrative Ana e Malit. Prezencë uji ka edhe në Lagjen Kasape të Gurit të Zi për shkak të bllokimit nga inertet të Urës së Pistallës. Në rrugën kryesore në Zues ka bllokim nga inertet në rrugën kryesore, kështu që lëvizja e mjeteve kryhet vetëm me një korsi. Po ashtu, ka tejmbushje të kanaleve kulluese të para, të dyta e të treta në Velipojë, Dajç dhe Bërdicë. Pothuajse në të gjitha njësitë ka dëmtime të rrugëve dytësore ndërsa po ashtu ka mungesë energjie.

Në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz vazhdojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë dhe erëra të fuqishme. Deri në këto momente raportohet për dëmtim të infrastrukturës rrugore automobilistike rurale, në të gjitha njësitë dhe shkëputje të energjisë elektrike. Po punohet për vënien dhe mbajtjen në funksion të rrugëve qe lidhin bashkinë me qendrat e njësive administrative.

Reshjet shumë të dendura gjatë natës kanë sjellë prurje të ujërave edhe si pasojë kanë dalë nga shtrati përroi i quajtur Glinë dhe lumi Gjadër, të cilat kanë dëmtuar rrugë lagjesh edhe infrastukturën në Qytetin e Vaut të Dejës, Njësinë Vig-Mnelë dhe Njësinë Hajmel, Shllak. Nuk ka energji elektrike në pothuajse të gjitha njësitë administrative. Bashkia po merr masa për evakuimin e banorëve në rast se do ketë përkeqësim të situatës pasi reshjet po vazhdojnë me intensitet të larte pa ndërprerje.

Vazhdojnë reshjet me intensitet të lartë në territorin e bashkisë Malësi e Madhe. Si rezultat i rënies në sasira të mëdha Përroi i Thatë ne fshatin Kamicë ka dalë nga shtrati. Në Bajzë ujërat kanë depërtuar në 2 familje ku mjetet e zjarrfikëses kanë punuar për thithjen e ujit me pompa./ INFOWeb Media

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu