Policia e Korçës ka bërë njoftim zyrtar për vdekjen e 14-vjeçarit Leo Sadiku, banues në fshatin Pocestë të Maliqit.
I mituri humbi jetën në QSUT ku po trajtohej për simptoma gripi dhe COVID-i. Sipas Policisë së Korçës, 14-vjeçari ka humbur jetën për shkaqe natyrore, pasi ka pasuar arrest kardiak.
“Më datë 08.01.2025, në QSUT, Tiranë, ka humbur jetën, një 14-vjeçar, banues në fshatin Pocestë, Maliq. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën, për shkaqe natyrale (arrest kardiak)”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, nga spitali sqarojnë mjekët se 14-vjeçari pasi ka patur një stabilizim shëndetësor në datë 31 dhjetor dhe me dëshirën e familjarëve të tij është larguar nga spitali. Gjatë shtrimit ai është mjekuar me antibiotikë, perfuzione dhe ilaçe për barkun.
I gjithë mjekimi është bërë mbi rezultatet e analizave. Në datën 7, kur ai është paraqitur përsëri në urgjencën spitalore të Korçës është bërë stabilizimi i gjendjes shëndetësore edhe pse u paraqit në situatë shumë të rënduar në spital dhe për shkak të simptomave, të cilat janë te njëjta për disa diagnoza, u bë e mundur të niset menjëherë në kryeqytet, për mjekim të specializuar dhe për ekzaminime të thelluara shëndetësore.
Saktësohet që rasti është ndjekur me përparësi në spitalin e juglindjes nga personeli shëndetësor. Ndërkohë ajo që dihet është se në spitalin e Korçës nuk ka mjek kardiopediatër. Nga ana tjetër Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet mbi shkaqet e ngjarjes.