“Që e vogël fare – mbase vetëm disamuajshe – fjalët ishin si dhurata të ëmbla, të lëngshme, dhe i pija si limonadë. Gati ua ndieja shijen. Ato u jepnin përmbajtje mendimeve dhe ndjenjave të mia të rrëmujshme. Prindërit më kanë rrethuar gjithmonë me fjalë. Fjaloseshin dhe dërdëllisnin pa fund. Shpreheshin me fjalë e me tinguj. Babi më këndonte. Mami më pëshpëriste në vesh.” – fragment nga “Përtej botës sime”.
“Përtej botës sime” (titulli në origjinal: Out of my mind), bestseller i New York Times-it për më shumë se 3 vjet, është një histori sfiduese, që do të ndryshojë përgjithmonë perceptimin tonë për njerëzit me aftësi ndryshe.
Libri ka në qendër Melodinë, një vajzë 11-vjeçare, krejt ndryshe nga pjesa më e madhe e njerëzve. Melodia s’mund të ecë, s’mund të flasë, s’mund të shkruajë, për shkak të një sëmundjeje të lindur, por ana tjetër, ka një kujtesë fotografike dhe arrin të mbajë mend çdo gjë. Personazhi nuk pranon ta përcaktojnë e përkufizojnë në bazë të gjendjes së saj, prandaj është e vendosur t’u tregojë të gjithëve mendjen e saj të jashtëzakonshme.
“Përtej botës sime” është shkruar nga Sharon Mills Draper, shkrimtare amerikane për fëmijë, që merret me çështjet e arsimit dhe edukimit të fëmijëve. Ajo ka fituar pesë herë çmimin Coretta Scott King për librat rreth të rinjve dhe adoleshentëve afro-amerikanë. Në 2015 ka marrë çmimin Margaret A. Edwards për karrierën letrare, dhënë nga American Library Association.