Pesë viktima në katër vite/ Tritol dhe snajper, kalvari i vrasjeve mes familjeve Gjini dhe Reçi

0

 

Preng Gjini është shënjestra e atentatit të ndodhur pasditen e sotme në Tiranë, ku makinës me të cilën ai po udhëtonte iu vendos eksploziv.

Së fundmi mësohet nga spitali i Traumës se ai është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po lufton për jetën.

Policia njoftoi se ngjarja dyshohet për hakmarrje, pasi Preng Gjini është vëllai i Tonin Gjinit, i cili u vra vitin e shkuar. Gjithashtu dyshohet se atentati mund të ketë lidhje me ekzekutimin e Kastriot Reçit, që u qëllua me snajper në mes të Rrëshenit.

Kujtojmë se fisi Gjini dhe Reçi janë prej kohësh “rivalë” në qytetin e Rrëshenit. Kalvari i vrasjeve në këtë familje ka nisur vite më parë, ku dy shkaqet kryesore mësohet të jenë hakmarrja dhe pazaret e drogës.

Rrëshen – 9 shtator 2016 (Sajmir Jaku)

Dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje drejtuesin e linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE, Saimir Jakun, ndërkohë që një tjetër person mbeti i plagosur. Jaku është qëlluar me kallashnikov, teksa ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit bashkë me një shok të tij.

Itali- 28 Prill 2017 (Gasper Reçi)

Një shqiptar është ekzekutuar më 4 plumba në Romë. Gasper Reci, 43 vjeç, nga Rrësheni është ekzekutuar në 2017-tën banesën e tij në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata. Nga hetimet në atë kohë nuk u arrit të identifikohej asnjë person si i dyshuar për atentatin, pasi në momentin që është vrarë shqiptari nuk ka pasur asnjë person në vendngjarje. Në momentin që është qëlluar, në banesën e Reçit ka qenë vetëm vajza e tij. Edhe pse ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Gasper Reçi nuk ka mund të shpëtojë, pasi plagët e marra i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Hetuesit italianë bënë të ditur se Gasper Reci kishte disa precedent penal në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Belgjikë- 6 Shtator 2017 ( Kreshnik Gjini)

Kreshnik Gjini, 31 vjeç, u ekzekutua në komunën Forest të Belgjikës. Ai u qëllua me dy plumba nga dy persona të maskuar dhe të panjohur. E gjithë ngjarja ndodhi para syve të koleges së tij të punës, Liliane. Kreshnik Gjini punonte kamerier në një lokal në Saint-Denis. Pasi mbylli llogaritë e xhiros ditore, kyçi biznesin dhe u largua me kolegen e tij. Këtë të fundit do ta shoqëronte me makinë në shtëpi, pasi nuk kishte mundur të arrinte tramvajin e fundit mbrëmjen e së martës.

Të dy shkuan drejt parkingut ku shqiptari kishte makinën. Sapo 31-vjeçari u fut në automjet, aty u shfaqën dy persona të maskuar. Ata e qëlluan me dy plumba, duke e lënë të vdekur në vend. Dyshohet se vrasja e Gaspër Reçit të jetë bërë si hakmarrje për vrasjen e Saimir Jakut, ndërsa vrasja e Kreshnik Gjinit të jetë bërë në hakmarrje të vrasjes së Gaspër Reçit.

Vrasja e Armando Gjinit, gusht 2019

Armando Gjini, i cili u ekzekutua në Gusht të 2019-ës, me armë zjarri në qendër të Rrëshenit, njihej si pjesë e bandës së Met Kananit, i njohur nga mediat turke si “Eskobari shqiptar”, për shkak të famës që ai ka marrë atje si koka e një rrjeti të madh të trafikut të lëndëve narkotike. Pikërisht pas vrasjes së tij dyshohet të ketë qenë Kastriot Reçi, i cili u ekzekutua gjatë ditës në muajin Gusht, raporton gazetaShqip.

Vrasja e Kastriot Reçit, janar 2020

47-vjeçari u ekzekutua pranë lokalit të tij në qendër të Rrëshenit, teksa ishte duke ecur me këmbë. Sipas dëshmitarëve në drejtim të Reçit është qëlluar me snajper, duke e bërë atë viktimën e dytë brenda familjes. Reçi ishte pronar i një televizioni lokal në Mirditë, si dhe dyshohet se ka pasur influencë mbi disa biznese të tjera në zonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu