Pezullimi i transportit publik në Prishtinë! Ministri i Financave i përgjigjet kryebashkiakut Rama: Buxhetin e kemi kaluar para kohe! Ju nuk keni kryer pagesat

0

PRISHTINË- Ministri në detyrë i Financave në Kosovë, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili paralajmëroi ndërprerjen e disa shërbimeve komunale të hënën, duke e akuzuar qeverinë për bllokim të buxhetit për arsye politike.

Në një postim në Facebook, Murati tha se Thesari kishte alokuar fondet e muajit dhjetor për Komunën e Prishtinës që të premten pasdite, madje para afatit, me qëllim që komuna të mund të paguante shërbime thelbësore si energjia elektrike dhe furnizime të tjera urgjente.

Sipas tij, pavarësisht alokimit të buxhetit, stafi komunal kishte ndërprerë punën dhe nuk kishte kryer asnjë pagesë. Murati shkroi se u njoftuan se stafi kishte mbaruar orarin dhe deklaruan se pagesat do t’i kryenin të hënën, duke lënë të kuptohet se vonesat nuk lidhen me bllokim nga ministria, por me mosveprim të Komunës së Prishtinës.

Ai shtoi gjithashtu se kjo sjellje, sipas tij, shpjegon edhe refuzimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe deputetëve të tjerë të partisë, për të votuar buxhetin për Prishtinën në Kuvend.

Reagimi i plotë:

Të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike.

Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”.

Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm.

Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën.

Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielen.

Kjo e sqaron edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend.

Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursejnë as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria.