TIRANË- Elton dhe Klodian Lestakaj, të cilët 7-vite më parë akuzonin Ardian Nikulaj dhe Arben Nikulajn për vrasjen e dy familjarëve të tyre mohuan të kenë lidhje me atentatin e 19 prillit, ku mbeti i vrarë biznesmeni dhe eksponenti politik 51-vjeçar. Në një reagim për emisionin “Review” në Euronews Albania, Elton dhe Klodian Lestakaj, thanë se nuk kanë lidhje me vrasjen e biznesmenit këtë javë në Lezhë. Ata u shprehën se janë të gatshëm të dëshmojnë për këtë gjë, ndërkohë që shtuan se për vrasjen e familjarëve të tyre nuk është bërë drejtësi. Por, gjithsesi, Elton dhe Klodian Lestakaj thonë se nuk kanë kanë dashur asnjëherë të marrin gjak, por drejtësi nga shteti.
“Nuk kemi çfarë themi më shumë nga ajo ç’ka kemi kërkuar 7 vite më parë, aq më tepër që s’duam të ngjallim emocione negative në këtë rast të freskët. Edhe pse ngjarja ka ndodhur e nuk kemi përgjegjësi, ne sërish do kërkojmë sërish hetim të ngjarjes deri në fund. Nëse shteti shqiptar na garanton jetën me status dëshmitarësh, ne vijmë e përballemi në gjykata. S’kemi dashur kurrë gjak, as nuk duam, duam drejtësi në dosje. Nëse shteti shqiptar na thërrret për hetim ne vijmë menjëherë,”- deklaruan ata.
Shtatë vite më parë, Elton dhe Klodian Lestakaj akuzonin vëllezërit Ardian Nikulaj dhe Arben Nikulajn për vrasjen e familjarëve të tyre, Lauren dhe Gëzim Lestakaj.
Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e së mërkurës kur sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Nikulaj ishte biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit.
Autori, siç u pa nga pamjet, mban një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha. Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim, ndërkohë që pista ku po hetohet është ajo e gjakmarrjes. Kjo pasi Nikulajt i është vrarë një vëlla nga pjesëtarë të fisit Balaj. Kjo ngjarje është pasuar në dy të vrarë nga familja Balaj dhe për asnjërën nga ngjarjet nuk ka pasur të arrestuar. Nuk përjashtohen konfliktet për bizneset apo politikën.
Deri më tani raportohet se në atentat kanë marrë pjesë të paktën 3 persona. Dy prej tyre kanë marrë pjesë si vëzhgues, ndërsa një ka qenë organizatori.