Shkodër, 15 Dhjetor 2025 – Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur lirimin me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për dy të rinjtë Klevin Thepi, 24 vjeç, dhe Doronesto Kulla, 19 vjeç, të dyshuar si organizatorët kryesorë të një rrahjeje masive mes adoleshentësh pranë shkollës së mesme “Shejnaze Juka” në Shkodër.
Ngjarja përfshiu rreth 15 të rinj, kryesisht 17–18 vjeç, të ndarë në dy grupe, të cilët u konfliktuan fillimisht me grushte dhe më pas me sende të forta, duke përdorur edhe armë të ftohta (thikë). Si pasojë, tre adoleshentë u plagosën lehtë dhe morën ndihmën mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodrës, duke qenë jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet paraprake tregojnë se konflikti ka zanafillën nga një përplasje e mëparshme mes nxënësve. 19-vjeçari Doronesto Kulla dyshohet se ka shkuar në ndihmë të vëllait të tij, një 17-vjeçar nxënës i shkollës “Shejnaze Juka”, duke u përfshirë në përleshje së bashku me persona të tjerë. Pamjet filmike tregojnë momentin kur dy grupet bashkohen dhe nisin përplasjen fizike, e cila zgjati rreth një minutë përpara se të shpërndahen.
Forcat e Policisë së Shkodrës dhe njësia “Shqiponja” ndërhynë menjëherë në vendngjarje, duke sekuestruar kamerat e sigurisë dhe nisur hetimet. Për pesë shtetas të mitur (katër 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar) është nis procedimi penal në gjendje të lirë.





