Të shtëna me armë zjarri janë raportuar këtë të shtunë në lagjen Vranjefc në Prishtinë, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një person.
I plagosuri është dërguar menjëherë në spital, ndërsa nuk bëhen me dije shkaqet e ngjarjes.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e policisë së Kosovës Flora Ahmeti, e cila ka deklaruar se hetuesit kanë nisur punën për zbardhjen e rastit si dhe identifikimin e personave të përfshirë në rast.
“Sot rreth orës 12:00, policia ka marrë informacionin se në Qendrën e Mjekësisë Familjare, në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, një person i plagosur nga arma e zjarrit ka kërkuar tretman mjekësor. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore për hetimin e krimeve tilla si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare është ngritur verzioni i hetimit se në rrugën “27 nëntori” në Prishtinë, personi është plagosur me armë zjarri, nën rrethana që aktualisht janë duke u hetuar. Përderisa personi i lënduar po merr mjekimin e nevojshëm në QKUK, hetuesit policor kanë nisur punën për zbardhjen e rastit si dhe identifikimin e personave të përfshirë në rast”.