Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar në Kavajë ku shtetasi Astrit Pukameka ka kërcënuar se do të digjte me benzinë dy persona, pasi ka plagosur me thikë shtetasit shtetasit Bardhyl Petja dhe Arjan Shau.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë ngjarja ka ndodhur në afërsi të mbikalimit në rrugën dytësore të qytetit, në sheshpushimin e një karburanti.
Raportohet se Pukameka ka plagosur me thikë shoferin Arjan Shau dhe më pas i ka marrë me forcë xhiron ditore prej 120.000 lekë të rinj, shitësit të karburantit, dhe ka kërcënuar se do të digjte karburantin.
Shërbimet e Policisë kanë arritur në kohë duke e parandaluar dhe një ngjarje të rëndë kriminale me pasoja për jetën.
Njoftimi i policisë:
Kavajë/Policia parandalon një ngjarje të rëndë kriminale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë pas marrjes se njoftimit se shtetasi A. P., në afërsi të mbikalimit në rrugë dytësore, ka kanosur se do digjte me benzinë dy persona, dhe ka plagosur me thikë shtetasin B. P., si dhe ka marrë peng shtetasin A. Sh. bashkë me mjetin e tij, organizuan punën me qëllim kapjen e këtij shtetasi.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të këtij shtetasi, i cili në fshatin Lekaj, në sheshpushimin e një karburanti, ka plagosur me thikë drejtuesin e mjetit që kishte marrë peng, shtetasin A. Sh., dhe më pas i ka marrë me forcë xhiron ditore prej 120.000 lekë të rinj, shitësit të karburantit, dhe ka kërcënuar se do të digjte karburantin.
Shërbimet e Policisë kanë arritur në kohë duke parandaluar dhe shmangur një ngjarje të rëndë kriminale me pasoja për jetën. Falë ndërhyrjes profesionale, kanë bërë të mundur neutralizimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:
– A. P., 45 vjeç, për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Vjedhja me dhunë”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.