KUKËS- Tre persona janë vënë në pranga nga policia e Kukësit në lidhje me plagosjen e me armë zjarri të kushëririt të kryebashkiakut. Tre personat akuzohen për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Armëmbajtjes pa leje” dhe “Përkrahjes së autorit të dyshuar për një krim”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në bashkëpunim me forcat operacionale të Drejtorisë së Pergjithshme të Policisë së Shtetit arrestuan Zenel Muçmata, i cili mban postin e Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimit Publik në Bashkinë Kukës. Gjithashtu në pranga kanë rënë edhe Genci Gezim Pinguli dhe Enes Asllanaj.
Njoftimi i prokurorisë:
Tre persona arrestohen me kërkesë të Prokurorisë Kukës për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’, ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Përkrahje të autorit’ Tre persona u arrestuan me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës, nën akuzë për veprat penale ‘Vrasje me paramendim’ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Përkrahje e autorit të dyshuar për një krim’.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr. 72 të vitit 2025, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në bashkëpunim me forcat operacionale të Drejtorisë së Pergjithshme të Policisë së Shtetit arrestuan shtetasit;
Z. M., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe “Armembajtje pa leje” parashikuar nga nenet 78,25,22, 278 te Kodit Penal;
G.P., i dyshuar për veprën penale “Përkrahje e autorit të dyshuar për një krim” parashikuar nga neni 302 te Kodit Penal; dhe
E. A., i dyshuar për veprën penale të “Përkrahje e autorit të dyshuar për një krim” parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.
Ky operacion ishte në vijim të hetimeve të plagosjes së ndodhur më 19.02.2025 në qytetin e Kukësit, ku shtetasi E.H. mbeti i plagosur me armë zjarri pas një konflikti. Pas kësaj ngjarjeje ndaj shtetasit Z.M. ishte caktuar masa e arrestit në burg në mungesë.