Anxhela Brisku, transgjinorja e cila u gjet ditën e djeshme brenda hotelit në Durrës, aty ku ndodhi plagosja me armë zjarri, ka dhënë dëshminë e saj para grupit hetimor. 22-vjeçarja ka rrëfyer se ishte e dehur dhe nuk mban mend se për çfarë arsye u plagos Sulejmani. Më tej, Brisku ka pohuar se të gjithë do të konsumonin kokainë mirëpo ende nuk e kuptoi se përse e gjithë situata devijoi deri në plagosje.
“Ishim për qejf. Më herët kishim konsumuar alkool në një lokal në zonën e shkozetit. Më pas shkuam te hoteli për të konsumuar kokainën. Folëm me recepsionistin. Ai na dha një dhomë. Ishim shumë mirë. Po pinim dhe po argëtoheshim kur papritur Markeljani nxori armën dhe qëlloi Anrin. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Nuk e kuptova pse e qëlloi, pasi nuk kishin asnjë konflikt”, ka deklaruar 22- vjeçarja.
Policia konstatoi nëpërmjet pamjeve të fiksuara nga kamerat e sigurisë së hotelit se recepsionisti ka nxjerrë vajzën nga dhoma dhe e kishte fshehur në një dhomë në pjesën e pasme të hotelit. Aty e kanë shtrënguar recepsionistin, i cili është detyruar të rrëfente gjithçka dinte. Mësohet se 22-vjeçarja kishte marrë me vete për ta fshehur dhe pistoletën, me të cilën u qëllua Anri Sulejmani.
I gjithë konflikti nisi ditën e djeshme brenda një dhome hoteli, ku të pranishëm kanë qenë 3 djem dhe 1 vajzë, kjo e fundit transgjinore. Mes tyre ka nisur një konflik që ka bërë që 26-vjeçari Markeljan Beqiri të nxjerrë armën e zjarrit dhe të plagosë shokun e tij 20-vjeç. Ky i fundit, i identifikuar si Arni Sulejmani, pretendon se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, ndërsa ndodhet ende në spital duke u kuruar për plagën e marrë në krah.
Pas plagosjes, autori 26-vjeçar është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes por po kërkohet nga Policia, bashkë me Tefik Shehun, ky i fundit i shpallur në kërkim për moskallzim krimi. Ndërsa në pranga kanë përfunduar Anxhela Brisku dhe Enver Hysenaj janë arrestuar.