Plani 30 miliardë euro / Gjermania përgatitet për luftë, do të ndërtojë deri në një milion strehimore

0

Autoritetet gjermane kanë paralajmëruar një projekt masiv për përforcimin e mbrojtjes civile në rast konflikti ushtarak, përmes ndërtimit të deri në një milion strehimore në të gjithë vendin. Lajmin e bëri të ditur Ralph Tiesler, kreu i Zyrës Federale për Mbrojtje Civile dhe Ndihmë në Rast Katastrofash (BBK), në një intervistë për gazetën Süddeutsche Zeitung.

Sipas tij, Gjermania përballet me një rrezik në rritje përballë një sulmi të mundshëm ushtarak në Europë, dhe për këtë arsye kërkohet një reagim i shpejtë dhe i organizuar. Projekti parashikon adaptimin e tuneleve, stacioneve të metrosë, garazheve nëntokësore dhe hapësirave të tjera publike, në mënyrë që të shërbejnë si strehimore në raste emergjente.

Tiesler tha se brenda verës do të prezantohet një plan i plotë, që do të përfshijë edhe pajisjen e këtyre strehimoreve me ujë, ushqime dhe shtretër kampingu, duke mundësuar qëndrimin e qytetarëve për disa ditë në to. Plani do të kushtojë rreth 30 miliardë euro dhe do të përfshijë gjithashtu zgjerimin e sistemeve të alarmit kombëtar, përmes platformës ekzistuese të paralajmërimit NINA.

Aktualisht, Gjermania ka vetëm 579 strehimore publike në gjendje të përdorshme, të cilat mund të strehojnë rreth 477 mijë persona – një shifër shumë e ulët krahasuar me popullsinë e vendit. Shumica e këtyre strehimoreve janë objekte të mbetura nga koha e Luftës së Dytë Botërore dhe nuk janë mirëmbajtur që nga viti 2007.

Në të njëjtën kohë, vihet re një rritje e ndjeshme e kërkesës për strehimore private në të gjithë Europën, veçanërisht në Gjermani, Francë dhe shtetet baltike, çka pasqyron një shqetësim të përhapur në opinionin publik për sigurinë dhe përgatitjen në kohë krize.