Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën “Myslym Shyri” në kryeqytet, ku një 52-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti gjatë punës.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Tiranës, shtetasi me inicialet B.H. po punonte në banesën e një qytetari, F.H., ku ishte angazhuar për çmontimin dhe heqjen e një bolieri uji. Gjatë kryerjes së punës, bolieri është shkëputur dhe ka rënë mbi të, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë.
Pavarësisht përpjekjeve për ta transportuar me urgjencë në spital, 52-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
“Ngjarja ka ndodhur më datë 24.05.2025, në rrugën ‘Myslym Shyri’. Gjatë punës për çmontimin e një bolieri, ai është shkëputur dhe i ka shkaktuar dëmtime në kokë shtetasit B.H., 52 vjeç, i cili më pas ka ndërruar jetë në spital. Nga specialistët e Komisariatit Nr. 2 janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet janë referuar në Prokurori për hetime të mëtejshme”, thuhet në deklaratën e policisë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar masat e sigurisë në vendin e punës.