29-vjeçari Ibrahim Lici, i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale në vend, është lokalizuar ditën e sotme në Turqi.
Burime nga policia bëjnë me dije se po bashkëpunohet me autoritetet vendase për ta kapur, ndërsa është ofruar dhe një shpërblim i konsiderueshëm për këdo që jep informacione rreth tij. Emri i Licit gjendet krah emrave të tjerë të krimit, Si Talo Çela, vëllezërit Bilali etj.
“Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e vendndodhjes së këtyre personave, Policia e Shtetit vë në dispozicion shuma të konsiderueshme parash.
Cilido që mund të disponojë informacione të vlefshme, të telefonojë në numrin e celularit 069 41 10 853, duke iu garantuar anonimat të plotë”, njofton policia.
Ibrahim Lici, djali i ish-këshilltarit bashkiak Mustafa Lici, akuzohet për ekzekutimin me 6 plumba të Endi Mustafajt më 15 maj të vitit 2021, por gjithashtu dhe për vrasjen e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, marsin e vitit 2019 në Shkodër.