229 efektivë të Policisë së Shtetit janë nën hetim nga Prokuroria dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat për vepra të ndryshme penale. Deri më tani burime për “Panorama” bëjnë me dije se 67 prej efektivëve në hetim janë të gjithë në rang drejtuesisht, ndërsa pjesa tjetër janë vartësit e tyre.
Gjithashtu në listë nën hetim janë edhe 4 punonjës civil, 3 efektivë të Gardës dhe 2 punonjës të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.
Ndërkohë që kohët e fundit në vend, ka pasur disa efektivë policie të përfshirë edhe në ngjarje kriminale, ku rasti më i “freskët” është ai i agjentit të krimeve në Policinë e Dibrës, Arbër Sula. Ky i fundit, vrau me armën e shërbimit 29-vjeçarin Jurgen Duka, pas sherrit se kush do të paguante i pari në market, por ende nuk është kapur nga uniformat blu.