Po shihte ndeshjen me djalin,ky është shqiptari që u vra me plumb në kokë në Itali

0

Itali, 7 prill 2025 – Vladimir Topjana, 43 vjeç, është viktima e atentatit me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e djeshme në qytetin italian të Fontanafredda. Ai ndodhej pranë një lokali me djalin e tij, ku kishin dalë për të ndjekur një ndeshje futbolli.

Sipas raportimeve, Topjana po bisedonte me një të afërm në rrugë kur një makinë Audi e bardhë ndaloi pranë tyre. Nga automjeti zbritën disa persona shqiptarë, të cilët nisën një debat me tone të larta me viktimën. Disa klientë të lokalit u përpoqën të ndërhynin për të shmangur konfliktin, por pa sukses.

Sherri më pas u zhvendos në një hapësirë mes dy bizneseve, ku njëri prej personave nxori armën dhe qëlloi tre herë në drejtim të Topjanës. Një plumb e goditi në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme përpara syve të të birit.

Policia italiane tha se në vendngjarje ndodhej edhe kunati i viktimës, ndërsa djali mbërriti pak sekonda më pas. Viktima ishte një frekuentues i rregullt i zonës, për shkak të lidhjeve familjare. Autori i dyshuar, një shqiptar 30-vjeç, u arrestua disa orë pas krimit, megjithëse fillimisht u arratis nga vendngjarja. Ende nuk dihen motivet që çuan në këtë tragjedi.