Poetja Laureate Rita Petro dhe IDMC (JonilaGodole) zhvilluan në Elbasan një aktivitet përkujtimor për bukurinë e fjalës poetike të heronjve të fjalës së lirë, poetëve dhe shkrimtarëve të vrarë, të burgosur e të internuar gjatë diktaturës komuniste, në kuadër të 21 Majit, “Revoltës së Spaçit”.

Programi i këtij aktiviteti ishte i pasur me interpretime nga ata, të shoqëruara nga tingujt e kitarës së Sheri Hoxhës, i cili krijoi një sfond muzikor të ndjeshëm dhe meditativ përgjatë gjithë aktivitetit.

Në sallën e teatrit, atmosfera u mbush me emocion dhe solemnitet, ndërsa aktiviteti u hap me fjalën e moderatores Bruna Kërçyku, e cila solli në vëmendje peshën historike të revoltës së Spaçit të vitit 1973 dhe simbolikën e saj si akt qëndrese ndaj shtypjes.

Ndërsa më pas, moderatorja ftoi në skenë Poeten Laureate Rita Petro, e cila solli një reflektim mbi dhunën e sistemit totalitar ndaj mendimit të lirë dhe krijimtarisë artistike, duke theksuar:
“Në burgjet famëkeqe të diktaturës kanë vuajtur dënimin shumë të burgosur politikë që nuk ishin dakord me sistemin, mes tyre intelektualë, shkrimtarë, studiues që kishin studiuar në shkolla të Europës, por ky takim mbledh bashkë sot poetët e dënuar. Të pushkatosh e dënosh poetët, është njëlloj si të vrasësh fëmijët me ëndrrën e qiellit në shpirt. Se është shpirti i tyre poetik dhe i lirë plot imagjinatë që u jep dhe pafajësinë fëminore. Mendoni sa i egër dhe i pamëshirshëm ka qenë sistemi që pretendonte të krijonte njeriun e ri apo poezinë që i thurte lavde vetëm partisë dhe mohonte lirinë e individit. Sot ne nuk jemi mbledhur të kujtojmë vuajtjet e tyre, por të përjetojmë bukurinë e vargjeve të tyre, të cilat kanë një vlerë aq të madhe në letërsinë e sotme shqipe”, tha poetja Laureate Rita Petro.
“Përshëndetjet e mia nga larg, nga Çikago i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe nga afër, nga zemra! Kjo që po bëni ju tani nuk është vetëm empati, por dhe kujtesë e nderim, është kulturë dhe vizion, nëpërmjet poezisë. Kujtoni që s’ka qenë poezia gjithmonë e lirë, jemi dënuar për atë. Donin ta mbytnin…Ju po i jepni zë. E lanë në terr…Ju po i jepni dritë. Është kuptimplotë dhe emblematike veprimtaria juaj me poeten e dashur, Ritën, tashmë laureatja e poezisë shqipe”, thoshte ndër të tjera në letrën e tij përshëndetëse në aktivitet, shkrimtari Visar Zhiti.
Në fjalën e saj, Godole solli një perspektivë të rëndësishme mbi angazhimin e të rinjve në politikat publike dhe nxitjen e reflektimit tek ta përmes aktiviteteve ndërgjegjësuese për regjimin komunist dhe pasojat e tij.


“Faleminderit Ritës dhe Jonilës që vendosën që ky aktivitet të realizohej në Elbasan. Të gjithë poetët dhe shkrimtarët që janë dënuar për fjalën e tyre, ishin pak më të mëdhenj se ju, nxënës të dashur. Ishin pak më të mëdhenj dhe vendosën, jo pa ndërgjegje, të shkruanin, të shkruanin të vërtetat e tyre, të denonconin atë fatalitet, kur fare mirë mund edhe të heshtnin. ‘Pse shkruanin?’, pyeti dikush nga ju këtu në sallë. Përgjigjja që unë jap, dhe që secili e ka brenda vetes, është se ata kishin integritet. Ata kishin një tërësi vlerash, parimesh morale, etike, kombëtare e vetjake, të cilat i kishin të mëshiruara fort. Ndaj ata nuk hoqën dorë nga misioni i tyre në jetë. Këtë gjë e bëni edhe ju përditë, ndonëse në një mënyrë tjetër, për kohën!”

“Qëndro gjersa të marrish frymë i lirë,

Nxënësi i talentuar në art, Eglis Toska, drithëroi sallën me interpretimin e tij plot ndjenjë, duke sjellë me emocion recitimin e disa vargjeve nga “Poem Kosovar” i Mitrush Kutelit. Me forcën e fjalës dhe interpretimin e ndjerë, ai përcolli te të pranishmit dhimbjen, qëndresën dhe shpirtin e poezisë, duke krijuar një nga momentet më prekëse të aktivitetit.
Një moment i veçantë artistik solli në sallë tingujt e “Prelud Valtz dhe Polka” të Dimitri Shostakovich, të interpretuara nga Ana Stojko në piano, Mustafa Shaqiri në violonçel dhe Erion Llapushi në violinë, duke i dhënë aktivitetit një frymëmarrje të thellë emocionale dhe estetike.

Programi më pas vijoi me një reflektim letrar të shkrimtarit Ervin Nezha, i cili u ndal te figura e dy poetëve martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, duke risjellë në vëmendje fatin tragjik të intelektualëve të dënuar për fjalën dhe mendimin e lirë.

Në vijim, aktori i Teatrit “Skampa”, Erli Fortuzi, interpretoi poezi të këtyre dy autorëve, duke i dhënë zë një dhimbjeje që ende flet nëpërmjet vargut.

Skena më pas iu besua të rinjve dhe studentëve të talentuar Rigelda Pisha, Joana Sinani, Elinda Dervishi dhe Joana Bërdufi, të cilët sollën interpretime nga poetë të dënuar dhe të arratisur, si dhe fragmente të çmuara nga përkthyesit e mëdhenj të letërsisë shqipe, mes tyre Pashko Gjeçi dhe Gjon Shllaku, figura që e ruajtën kulturën e leximit edhe në kushte ekstreme, duke përkthyer në burgje dhe në fshehtësi.

Më pas, vargjet e Vehbi Skënderit dhe Uran Kostrecit vijuan të sjellin dimensionin e brendshëm të njeriut të thyer nga burgu, por të pathyer në shpirt, ndërsa interpretimi i Erli Fortuzit dhe moderatorës krijoi një dialog të gjallë mes zërit artistik dhe kujtesës historike. Në skenë u sollën edhe fjalët e fundit nga Jamarbër Marko, si një reflektim mbi kufijtë e lirisë dhe mbijetesës njerëzore përmes artit.




Në Teatrin “Skampa”, nga ky aktivitet, poezia nuk u lexua thjesht, por ajo u jetua!





