Festa e 28 dhe 29 Nëntorit që përkon dhe me fundjavën, do jetë edhe në vëmendjen e policisë, kryesisht të sektorit të rrugores dhe të rendit. Masat shtesë janë hartuar nga sektori për rendin dhe sigurinë në drejtorinë e Policisë së Shtetit. Rritja e prezencës së shërbimeve policore, do jetë me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve.
Nisur nga fakti se në fundjavë akset rrugore në drejtim të zonave turistike dhe bregdetare ka fluks të shtuar dhe se në rrugë ka prezencë të lagështirës, policia apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit. Shërbimet e Policisë Rrugore do të vendosen dhe në rrugën e Arbrit që do të hapet me 29 Nëntor, por edhe në akset rrugore të Vlorës. Masa të posaçme janë ndërmarrë për garantimin e mbarëvajtjes aktivitetet që do të zhvillohen, duke bashkëpunuar dhe me autoritetet vendore.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar përforcimit të shërbimeve që lidhin pikat kufitare me akset kryesore të vendit. Në Pikat e Kalimit Kufitar është planifikuar të vendoset personel shtesë, me synim menaxhimin pa vonesa të fluksit të lëvizjes së qytetarëve vendas e të huaj. Në kuadër të këtyre masave të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit pritet të kalojnë në shërbim të përforcuar nga ora 22:00 e të shtunës deri në datë 30 Nëntor.
Marrë nga Klan News





