Departamenti i krimit kibernetik në policinë e shtetit ka nisur verifikimet për të zbuluar se kush janë personat që tentuan të hackeronin serverat e Shërbimit të Brendshme dhe Ankesave. Pas këtij sulmi edhe specialistët e IT kanë nisur punën për rritjen e sigurisë.
Lajmin për ndërhyrjen në sistem e bëri publike vetë SHÇBA përmes një njoftimi për mediet.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se sulmi është parandaluar në kohë pa u lënë keqbërësve mundësinë e marrjes së informacioneve nga serverat e institucionit.
Ngjarja e cila ka vendosur në gjendje alerti strukturat e rendit është bërë objekt hetimi dhe analize nga një grup punë nga drejtoria e përgjithshme e policisë i ngritur për hetimin e sulmit.
Në cilësinë e provave janë sekuestruar disa pajisje kompjuterike ndërkohë që hetuesit kanë kërkuar edhe dëshminë e specialistëve të IT në këtë strukturë.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe ankesat kohët e fundit ka goditur disa raste të punonjësve të policisë të cilët ishin të përfshirë në trafik dhe shpërndarje droge.
Po kështu databaza e SHÇBA përmban edhe të dhënat e vettingut në policinë e shtetit si dhe materialet e mbledhura nga mbajtja në vëzhgim e efektivave dhe drejtuesve të dyshuar për aktivitete të paligjshme.