Policia pritet të mbërrijë në banesë për arrestimin e Llallës, bashkëshortja largohet me makinën luksoze

0

Gjykata e Posaçme e Apelit dha sot një nga vendimet më të rëndësishme që prej krijimit të saj, dënimin me burg të zyrtarit të parë të lartë në Shqipëri, Adriatik Llalla, me dy vite heqje lirie, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Teksa u kthye nga Gjermania për përballjen e tij me drejtësinë, Adriatik Llalla është zhdukur këtë të mërkurë, në ditën kur policia duhet të ekzekutojë vendimin për arrestimin e tij.  Fax Neës ka qenë sot në afërsi të banesës së Llallës, ku është parë të dalë prej andej vetëm bashkëshortja e tij, ndërkohë që vendndodhja e ish-prokurorit nuk dihet ende.

Avokati i tij Sokol Hazizaj, një javë më parë tha se Llalla ndodhej në regjim spitalor për shkak të një sëmundje të rëndë nga e cila vuan, mirëpo në fundin e seancës së sotme ku u dha dënimi, ai tha se nuk kishte dijeni mbi vendndodhjen e Llallës.

Nuk përjashtohet mundësia që Llalla të jetë larguar jashtë vendit, me frikën e një dënimi me burg ndaj tij, duke qenë se presioni edhe ndërkombëtar për këtë vendim ka qenë shumë i madh. Të gjitha seancat ndaj Llallës qoftë në GJKKO dhe qoftë në apelin e posaçëm janë ndjekur nga afër nga përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë, ndërsa ish-kryeprokurori është cilësuar peshk i madh që në kohën kur në Shqipëri ambasador ishte Donald Lu.

Procedura e do që Policia të shkojë në banesën e dhënë nga Llalla si adresë, dhe në rast se ai nuk gjendet, atëherë me shumë gjasa do të bëhet edhe shpallja e tij në kërkim. Vetë Hazizaj nuk pranoi që të komentonte një skenar të tillë duke e quajtur vendimin e apelit skandaloz, dhe një copy paste të vendimit të dhënë në shkallën e parë.

Llalla u mor i pandehur nga SPAK pas një hetimi të nisur për të që prej vitit 2018 nga prokuroria e Durrësit e më pas ish prokuroria e krimeve të rënda. Ish kryeprokurori u shpall fajtor lidhur me 3 episode, fshehjen e shpenzimeve për familjarët e tij në Gjermani në vlerën e 7050 eurove, fshehjen e shpenzimeve për lindjen e djalit në Amerikë në vlerën e 7700 dollarëve si dhe shpenzimet për ndërtimin e katit të 3 të banesës së tij.

Vendimi i dhënë sot nga GJKKO e pengon Llallën që të ushtrojë funksione publike në 5 vitet e ardhshme, si dhe pritet që të bëhet sekuestrimi i të paktën 8 pasurive të tij. Adriatik Llalla, njeriu që do të duhet të hetonte korrupsionin dhe krimin e nivelit të lartë, bëhet kështu ”viktima” e parë e drejtësisë së re, që edhe pse ka nisur të ndërtohet prej kohësh, frutin e parë do të ketë pikërisht ish-kryeprokurorin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu