Pas Suedisë, Hollanda është shteti i radhës ku ekstremistët e fesë po dhurojnë ‘shfaqje’ në cënimin dhe përbuzjen e besimtarëve. Një politikan hollandez, i pozicionuar si udhëheqësi i grupit të ekstremit të djathtë, Evropianët Patriotikë Kundër Islamizimit të Perëndimit ka përdhosur një kopje të Kuranit.
Një video e postuar në mediat sociale tregon se si anti-muslimani Edwin Wagensveld, gris librin e shenjtë të islamit, e më pas tha se do ta digjte. Përpara kamerave, politikani dha një ‘shfaqje’ publike duke shprehur çdo mllef ndaj besimit islam duke përdorur çdo metodë poshtëruese ndaj një libri të shenjtë.
“Së shpejti do të ketë regjistrime për veprime të ngjashme në disa qytete, koha për t’iu përgjigjur mosrespektimit nga islami me mungesë respekti. Pasi hëngrëm një kafshatë të këndshme dhe një pije me grupin tonë, atëherë ishte koha për të djegur eshtrat e Kuranit. Njerëzit që na njohin dhe na ndjekin e dinë se ne kurrë nuk dorëzohemi, nuk e lejojmë veten të trembemi nga dhuna dhe kërcënimet me vdekje” – tha politikani hollandez.
Ekstremisti është arrestuar në dy raste të mëparshme për shkak të aktiviteteve të tij anti-muslimane. Dy muaj më parë, ai ishte arrestuar nga policia për fyerje të profetit Muhamed duke përdorur një megafon. Por në fund u vendos që ai nuk kishte kryer asnjë krim dhe për këtë arsye nuk do të ndiqej penalisht për këtë akt.