Turqia synon të rrisë vëllimin e tregtisë dypalëshe me Shqipërinë në 1 miliard dollarë. Turkishpress shkruan se këtë gjë e ka bërë të ditur kryeparlamentari turk Mustafa Sentop gjatë një takimi me homologen shqiptare Lindita Nikolla në Ankara.
Sentop vuri në dukje se më shumë se 600 kompani turke operonin në Shqipëri dhe se ato punësojnë rreth 15,000 njerëz. Ai gjithashtu shtoi se me investime 3.5 miliardë dollarë, Turqia është investitori më i madh i huaj në Shqipëri. Kreu i parlamentit turk tha se vendi i tij mbështet plotësisht procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Nikolla, nga ana e saj, falënderoi Turqinë për ndihmën e dhënë pas tërmetit të vitit 2019 në vendin tonë. Nikolla në fjalën e saj theksoi se Turqia i ka qëndruar pranë Shqipërisë në kohëra të këqija.
“Përderisa jemi aktualisht në këtë takim, në Shqipëri do të zhvillohet një event vërtet i bukur. 524 familje do të hyjnë në shtëpitë e tyre të reja në janar. Kjo ndodhi për shkak të presidentit tuaj të nderuar Recep Tayyip Erdogan dhe qeverisë turke”, tha ajo.
Turqia filloi të ndërtojë më shumë se 500 shtëpi në Shqipëri pas tërmetit të vitit 2019. Pas takimit, Nikolla vizitoi seksionet e parlamentit turk të bombarduar gjatë grushtit të shtetit të dështuar të 15 korrikut 2016.