SPANJË- Një gjykatës spanjoll miratoi të martën një gjyq për këngëtaren kolumbiane të popit Shakira me akuzën për mashtrim tatimor. Prokurorët spanjollë e akuzuan artisten në vitin 2018 se nuk kishte paguar 14.5 milionë euro (13.9 milionë dollarë) taksa mbi të ardhurat e fituara midis 2012 dhe 2014. Prokurorët po kërkojnë një dënim me tetë vite burg dhe një gjobë të rëndë nëse ajo shpallet fajtore për evazion fiskal.
Shakira, 45 vjeç, ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo keqbërje dhe ka refuzuar një marrëveshje me autoritetet për të shmangur daljen në gjyq. Firma e saj e marrëdhënieve me publikun ka thënë se ajo tashmë ka paguar gjithçka që i detyrohej dhe 3 milionë euro shtesë (2.8 milionë dollarë) në interes, raporton apnews.com.
Gjykata me seli në qytetin Esplugues de Llobregat pranë Barcelonës tha se Shakira do të përballet me gjashtë akuza për mashtrim tatimor. Data e gjykimit ende nuk është caktuar. Çështja varet nga vendi ku Shakira ka jetuar gjatë 2012-14. Prokurorët në Barcelonë kanë pretenduar se fituesja e Grammy-t kaloi më shumë se gjysmën e asaj periudhe në Spanjë dhe duhej të kishte paguar taksat në vend, edhe pse rezidenca e saj zyrtare ishte në Bahamas.
Shakira, emri i plotë i së cilës është Shakira Isabel Mebarak Ripoll, ka qenë e lidhur me Spanjën që kur filloi të takohej me futbollistin Gerard Pique. Çifti, i cili ka dy fëmijë, jetonte së bashku në Barcelonë, por së fundmi i dhanë fund lidhjes së tyre 11-vjeçare.
Spanja ka goditur yjet e futbollit si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo gjatë dekadës së fundit për mospagimin e plotë të taksave. Ata u shpallën fajtorë për evazion, por të dy shmangën burgun falë një dispozite që lejon një gjykatës të heqë dënimet nën dy vjet për shkelësit për herë të parë.